Lajme

Kurti: Vendet fqinje s’janë të sigurta nga Serbia, derisa nuk janë pjesë e BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të shtunën se shtetet fqinje nuk mund të ndihet të sigurta nga Serbia, derisa nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian (BE).

I pyetur gjatë Forumit të Paqes në Paris se cilat janë qëllimet e Serbisë karshi Kosovës, Kurti theksoi se “ndarja e saj, apo kompensimet territoriale.”

“Fqinjët e Serbisë, për sa kohë që nuk janë pjesë e BE-së, nuk janë të sigurt nga Serbia, dhe kjo duhet të merret parasysh në Bruksel. Ata janë të inatosur me shpërbërjen e Jugosllavisë, kanë menduar se mund ta shkatërrojnë dhe ta marrin gjysmën e saj, nuk doli ashtu”, tha Kurti.

Kosova e ka akuzuar Serbinë për “tentim aneksimin e veriut të Kosovës”, pas një sulmi nga një grup i serbëve të armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku u vra një rreshter policor dhe tre sulmues. Serbia i ka mohuar akuzat, megjithëse përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Lista Serbe.

“Mendoj se, në njërën anë, ata [Serbia] duan të shohin ndarjen e Kosovës, do të donin kompensime territoriale për gabimet e tyre, por nuk është e mundshme”, tha Kurti në Paris të shtunën.

Para disa viteve ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishin biseduar për shkëmbimin e mundshëm të territoreve mes dy vendeve, mirëpo kjo çështje kishte shkaktuar debate të shumta, si në Kosovë ashtu edhe në skenën ndërkombëtare.

Kosova është vendi i vetëm nga fqinjët e Serbisë që ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Negociatat për anëtarësim ka vite që i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia, ndërsa në korrik të vitit 2022 i kanë nisur edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Bosnje e Hercegovina e mori statusin e vendit kandidat në dhjetor të vitit të kaluar.

Kurti beson se arsyeja pse Kosova nuk e ka marrë ende statusin e kandidatit ka qenë mungesa e liberalizimit të vizave deri tani, të cilin Komisioni Evropian (KE) e miratoi në fillim të këtij viti, para se të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.

“Ne nuk kemi alternativë tjetër, Evropa është kontinenti jonë, BE-j është e ardhmja jonë dhe ne duam të përfitojmë dhe kontribuojmë në BE”, shtoi Kurti.

Rruga e Kosovës drejt BE-së varet nga dialogu i saj me Serbinë, njoftuan javën e kaluar zyrtarët evropianë.

Edhe pse Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE, komisionari për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, tha më 8 nëntor se Këshilli ende nuk ka kërkuar nga komisioni që të japë opinion për këtë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe komisionari evropian për fqinjësinë dhe zgjerimin, Oliver Varhelyi, gjatë konferencës për shtyp në Bruksel, Belgjikë, 8 nëntor 2023.

“Ne jemi të gatshëm të japim opinionin”, tha ai.

“Ndjenja jonë është se për Kosovën rruga drejt BE-së po vjen përmes një dialogu të suksesshëm. Ata duhet t’i dyfishojnë përpjekjet e tyre për ta bërë dialogun të suksesshëm”, shtoi Varhelyi.

Më 8 nëntor, presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, tha se zbatimi i marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mund të jetë një hap i madh përpara për Kosovën.

Në Raportin e Progresit për Kosovën, në shumicën e fushave që vlerësohen, Komisioni Evropian ka thënë se Kosova ka shënuar “përparim të kufizuar”. /REL

/Shqip.com