Lajme

Kurti: Vazhdimisht kemi vepruar me rekomandimet e IKShPK-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vazhdimisht kanë vepruar me rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, referuar menaxhimit të pandemisë.

Këto komente, kreu i ekzekutivit i bëri gjatë një adresimi në drejtim të qytetarëve, pasi të premten Ministria e Shëndetësisë, njoftoi për 1 milion doza vaksinash anti-COVID të administruara.

Lexo edhe:
Kusari-Lila: Nëse s’ka arkiva të UÇK-së pse është përmendur në projektligjin për vlerat e luftës?

“Po të merrnim masa ekstreme të kufizimit kur numrat ishin tejet të ulët, do të ishte mbi e tej reagim. Edhe atëherë, edhe sot, ne kemi vepruar në përputhje me rekomandimet e IKSHPK-së dhe me situatën në terren ku numri i rasteve të reja ishte shumë i ulët deri në fillim të muajit gusht e madje gjatë tërë dhjetë ditëshit të parë”, ka thënë Kurti.

Po ashtu, ka folur edhe për variantin delta i cili është përhapur shumë në Kosovë.

“Ekspertët e prisnin një valë të varianti delta, por jo aq herët e as me rritje aq të shpejtë. Ne morëm masa, dhe po veprojmë në kohë reale”.

19 raste të vdekjes janë shënuar të enjten dhe 703 infeksione të reja.

Javëve të fundit janë shtuar dukshëm vdekjet si pasojë e COVID-19, për këtë opozita gishtin e ka drejtuar kah Qeveria.

Gjatë një konference për media, Kurti kishte thënë se do të gjobitet çdo kush që s’i zbaton masat anti-COVID.

Këto kufizime përfshinë obligueshmërinë e mbajtjes së maskës, limitimin e orarit të afarizmit dhe orën policore. /Shqip.com