Lajme

Kurti u takua me ambasadorët e Francës dhe Gjermanisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në një takim të përbashkët ambasadorët e Francës dhe Gjermanisë, Olivier Guérot dhe Jörn Rohde.

Sipas një njoftimi për media nga Qeveria e Kosovës, thuhet se takimet e djeshme në Bruksel ishin temë qendrore e diskutimit me ç’rast kryeministri Kurti i ka njoftuar ambasadorët me qëndrimet e mbajtura dhe propozimet e dhëna të Republikës së Kosovës.

“Ai e ritheksoi se përmes pjesëmarrjes në takime të ftuara nga ndërmjetësuesit dhe propozimeve të saj, Republika e Kosovës ka dëshmuar konstruktivitetin, gatishmërinë dhe interesimin për arritjen e marrëveshjes ligjërisht të obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër dhe se për dallim nga Serbia, e konsideron si bazë të mirë propozimin e Bashkimit Evropian, të mbështetur nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Tutje, u theksua nevoja për përpjekje maksimale për arritjen e një dakordimi brenda orëve të mbetura nga afati shtesë prej 48 orësh, ashtu që përafrimi i djeshëm në Bruksel të rezultojë në pajtueshmëri të përbashkët.

/Shqip.com