Lajme

Kurti u ankohet ambasadorëve për veprimet e Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar Ambasadorin e Francës, Olivier Guérot, Ambasadorin e Italisë, Antonello De Riu, dhe zëvendësambasadorin e Gjermanisë në Republikën e Kosovës, Matthias Conrad.

Një nga pikat e diskutimit ka qenë procesi i zbatimit të Marrëveshjes Bazike me Serbinë dhe Planin e Zbatimit të adoptuar me 18 mars ndërmjet të dyja shteteve, si dhe për takimin në Bruksel me 2 maj.

“Sa i përket Marrëveshjes Bazë dhe Planit të Zbatimit, kryeministri Kurti ritheksoi përkushtimin e tij për zbatim gjithëpërfshirës dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike. Ndërkaq në lidhje me takimin e radhës së nivelit të lartë politik, ai tha pret angazhim konstruktiv që siguron zbatim pa vonesë e të plotë të të gjitha neneve të dakorduara. Ndërkohë që theksoi sjelljet dhe veprimet e njëpasnjëshme të Serbisë të cilat bien ndesh dhe shkelin Marrëveshjen Bazë, marrëveshje kjo që ka mbështetjen e plotë të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, krahas shteteve tjera anëtare të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mbështetje që kryeministri Kurti u kërkoi që të vazhdojnë ta kenë deri në zbatimin e plotë të saj”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Në këtë takim, Kurti ka falënderuar përfaqësuesit diplomatikë për mbështetjen e tyre dhe të vendeve të tyre ndaj Republikës së Kosovës në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, si një ndër hapat më madhor të Republikës sonë që pas shpalljes së pavarësisë.

/Shqip.com