Lajme

Kurti tregon pse Kosova nuk e ka bërë ekstradimin e grupit të Kumanovës

Rasti Kumanova

Deputeti Hisen Berisha nga Partia Demokratike e Kosovës, në seancën plenare ka pyetur kryeministrin Albin Kurti në lidhje me të burgosurit e rastit “Kumanova” që janë në burgjet e Maqedonisë së Veriut.

“Leonidasit e UÇK-së që po mbahen në burgjet e Maqedonisë së Veriut.Çfarë qëndrimi mbani rreth rastit të Komunavoës? A jeni angazhuar ju dhe ministrja e drejtësisë që të burgosuit të kthehen dhe ta mbajnë burgun në Kosovë?”, ka pyetur Berisha.

Në përgjigjen e tij, Kurti tha se kërkesën për ekstradim duhet ta bëjë secili i burgosur individualisht ndërsa një një kërkesë e tillë nuk është bërë ende, përcjell Shqip.com.

Hisen Berisha, deputet i PDK-së

Më tej ai shtoi se rasti i Kumanovës është ende në proces dhe është në Gjykatën Supreme.

“Fillimisht më lejoni të ju njoftoj se transferi i tyre bëhet individualisht dhe jo në grup. Procedura e ekstradimit fillon me kërkesën e personit që është në vuajtje të dënimit. Deri më tani nuk është bërë një kërkesë e tillë.  Pra nëse një shtetas i Kosovës i ka shprehur interes palës dënuese, në këtë rast Maqedonisë së Veriut për t’u transferuar në Kosovë, ajo palë e njofton palën zbatuese në këtë rast, Kosovën. Rasti është në Gjykatën Supreme ende, nuk ka përfunduar”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Gjithashtu, Kurti njoftoi se para disa muajve është takuar me ministrin e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut, Bojan Mariçiq dhe kanë biseduar për këtë çështje.

“Ministri dhe zëvendësministri i drejtësisë i Maqedonisë së Veriut kanë qenë për vizitë zyrtare në Kosovë para katër muajve dhe do të kemi vizitë në kahjen e kundërt. Në takimet që i kemi pasur, e kemi ngritur edhe këtë çështje për ta diskutuar mirëpo duhet duhet ta kuptoni se për çështjen e transferimit, siç thashë edhe më herët rasti i Kumanovës ndodhet në Gjykatën Supreme”

Më tej Berisha ka insistuar duke pyetur Kurtin se çfarë ka bërë Qeveria e Kosovës që ky grup i të burgosurve të mos cilësohen si terrorist, Kurti iu drejtua duke cituar deputeten e PDK-së, Blerta Deliun, e cila në njërën nga seancat e Kuvendit kishte bërë një koment mbi këtë grup.

“I nderuar deputet Berisha epitetin e padrejtë terrorist e ka thënë kolegia juaj, ndërkaq ju kinse po brengoseni për djemtë. Populli e ka një fjalë të urtë për këtë shprehje por atë unë juve sot këtu nuk po ua them”, u përgjigj Kurti./Shqip.com