Lajme

Kurti: Të përkushtuar ta vendosim trashëgiminë kulturore në qendër të parimeve

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se është i përkushtuar që ta vendosë trashëgiminë kulturore në qendër të parimeve thelbësore të bashkëjetesës, respektit të ndërsjellë dhe zhvillimit të shoqërisë demokratike.

Sipas tij, Kosova ka një pasuri të jashtëzakonshme kulturore, e cila është vlerë universale dhe çelës për krijim të ndërveprimit shoqëror dhe tejkalim të dallimeve ndërmjet komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Kosovë.

“Me punë serioze dhe përkushtim, jemi duke zhvilluar programe dhe projekte të shumta të cilat po e transformojnë potencialin e trashëgimisë kulturore në zhvillim të qëndrueshëm shoqëror e ekonomik për të gjithë qytetarët pa dallim”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.

Ai ka bërë të ditur se janë zhvilluar ndërhyrje restauruese në dhjetëra asete të trashëgimisë kulturore anekënd Kosovës dhe sipas tij, tani po funksionalizohen ato.

“Me ritëm të lartë, po vazhdojnë punimet edhe në shumë monumente tjera, nga lokalitetet e lashta antike, monumentet mesjetare e deri tek ato që përfaqësojnë shembuj të arkitekturës modern”, ka shtuar ai tutje.

“Lokaliteti Arkeologjik në Qendrën Historike të Prizrenit, shtëpitë tradicionale në Prizren, Hani i Haraqisë në Gjakovë, Kulla e Sylë Tahirsylës në Deçan, Dyqani në Çarshinë e vjetër të Pejës, Xhamia e Çarshisë në Prishtinë, Hamami në Mitrovicë, Kisha Katolike në Ferizaj dhe Katedralja në Prizren, revitalizimi i Qytetit të Janjevës, Rrugës Marin Barleti e Kinemasë Lumbardhi në Prizren, janë vetëm disa nga projektet e përfunduara e në proces të punës”, ka thënë më tej Kurti.

/Shqip.com