Lajme

Kurti të hënën përballet me deputetët rreth dialogut me Serbinë

Albin Kurti, kryeministri i Kosovës
Albin Kurti, kryeministri i Kosovës

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka deklaruar se Grupi Parlamentar i PDK-së, ka kërkuar seancë të veçantë plenare rreth  çështjes së dialogut Kosovë-Serbi.

Krasniqi, përmes Facebook-ut, ka shkruar se me Kurtin duhet të debatohet hapur për të gjitha temat që ndërlidhen me procesin e dialogut.

“Me iniciativën tonë, të hënën, më 13 shkurt 2023, këtë debat do ta shtrojmë në Kuvend, aty ku edhe e ka vendin që të shtrohet e diskutohet detajisht kjo çështje”, ka shkruar kryetari i PDK-së.

Sipas tij, përgjegjësitë rreth dialogut nuk mund të bëhen fshehtas nëpër restorante e as me postime në Twitter.

Qëllimet e shtetit tonë në dialog me Serbinë janë të njohura. Angazhimi për arritjen e këtyre qëllimeve është përgjegjësi nga e cila nuk mund të shmanget askush. Ushtrimi i kësaj përgjegjësie nuk mund të bëhet në mënyrë të fshehtë, as nëpër restorante, e as me postime në tëitter, por përmes transparencës së plotë përballë qytetarëve e përfaqësuesve të qytetarëve në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.

Kujtojmë se, Albin Kurti është shprehur i hapur të diskutoj për procesin e dialogut. Në fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës, ai tha se për këtë gjë ekzistojnë dy mënyra.

Unë jam i hapur për t’i diskutuar këto gjëra, por kuptoni se janë dy mënyra për këtë gjë; ose takim i liderëve të partive për hollësitë ose raportim në Kuvendin e Kosovë me dyer të mbyllura me kërkesë të opozitës. Është e mundshme që edhe unë të kërkojë një seancë, por po ju tregoj se pse nuk e kam bërë deri më sot është që nuk dua që të na akuzojnë që ne i nxorëm hollësitë. Procesi i dialogut duhet të jetë transparent, por pjesa e konfidencialitetit duhet të mbahet”, është shprehur Kurti.

Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës, kishte propozuar që gjatë seancës së sotme të diskutohej me dyer të mbyllura për procesin e dialogut.

Këtë e kishte kërkuar vetë kryetari i këtij subjekti politik, Lumir Abdixhiku, por që nuk ka kaluar si propozim.

“Meqenëse ka devijime në procesin e dialogut unë konsideroj që duhet të thërrasim urgjentisht seancë të jashtëzakonshme dhe po e thërrasim. Ju ftoj të gjithë liderëve të partive politike që sot t’i mbledhim 40 nënshkrime dhe të ndërpremë çdo diskutim tjetër se sot është më i rëndësishëm procesi i dialogut siç tha kryeministri me dyer të mbyllura”, ishte shprehur Abdixhiku.

/Shqip.com