Lajme

Kurti takon Saviolin, diskutojnë për krimet e luftës në Kosovë

Angazhimi i Qeverisë për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë ishte tema kryeosore e takimit midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Raportuesit Special i Kombeve të Bashkuara Fabian Savioli.

Kurti shprehu përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ballafaqim me të kaluarën dhe për drejtësi.

“Kosova duhet të ketë rehabilitim dhe rivendosje të drejtësisë për viktimat e të mbijetuarat/it, pasi është shumë e vështirë për familjet të vazhdojnë të jetojnë normalisht përkundër humbjeve dhe vuajtjeve të tyre”, është shprehur Kurti.

Më tutje Kurti, veçoi disa nga nismat e Qeverisë së Republikës së Kosovës, si ajo për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës, hartimin e Strategjisë Kombëtare për Drejtësi Tranzicionale, si dhe fuqizimin e Departamentit të Krimeve të Luftës në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Në fund Kurti theksoi çështjen e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës dhe familjet që jetojnë në dhembje e ankth, duke mos ditur për fatin e vendndodhjen e të dashurve të tyre.

Në anën tjetër, Savioli shprehu mirënjohjen për bashkëpunim e treguar nga Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës dhe shprehu solidaritetin me viktimat dhe popullin e Kosovës.

/Shqip.com