Kurti takon policët që u lënduan në aksionin anti-kontrabandë në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar të dielën zyrtarë policorë që kanë marrë lëndime trupore në aksionin anti-kontrabandë në veri të vendit më 13 tetor, njofton Shqip.com.
Në këtë takim, bëhet e ditur se Kurti shprehi keqardhje për sulmin ndaj policëve, duke theksuar se krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen.

Përmes një njoftimi të Zyrës së Kryeministrit, në takim me zyrtarët policorë, bashkë me kryeministrin ishin edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti.
“U vlerësua mbarëvajtja e operacionit policor që kishte për qëllim parandalimin dhe luftimin e kontrabandës në disa rajone të Kosovës, si dhe u vlerësuan veprimet profesionale të zyrtarëve policorë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me Doganën e Kosovës dhe organet e drejtësisë”, thuhet në njoftim.
“Gjatë takimit u theksua se Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet kompetente do të vazhdojë realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj në nivel vendi, me qëllim të parandalimit të veprimtarive kriminale, parandalimit të kontrabandës së mallrave si dhe shkatërrimit të grupeve kriminale”, bëhet e ditur më tej nga Zyra e Kryeministrit.
Në këtë aksion policor, 10 zyrtarë kanë marrë lëndime trupore, prej të cilëve shtatë ishin të nacionalitetit shqiptar dhe tre të tjerë serbë. /Shqip.com