Lajme

Kurti takon komandantin e KFOR-it

Sot gjatë ditës është zhvilluar një takim në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe komandantit të KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia.

Kujtojmë se Kurti kishte kërkuar nga KFOR-i që t’i largojnë barrikadat. Krahas kësaj, KFOR-i ka kërkuar pak kohë nga Qeveria e Kosovës.

Sot janë bërë 17 ditë që nga vendosja e barrikadave në veri të Kosovës.

Ato u vendosen si shenjë revolte ndaj arrestimit të ish-policit, Dejan Pantiq i cili është i dyshuari kryesor ndaj sulmit që u bë në zyrat e Komisionit  Komunal të Zgjedhjeve në veri të Kosovës me 6 dhjetor.

Barrikadat e para u ngritën me 10 dhjetor dhe deri tani janë gjithsej nëntë barrikada.

Si duket situate në veri të Kosovës është bërë një sfidë edhe për ndërkombëtarët të cilët gjatë kësaj periudhe kohore realizuan vizita të shumta sa në Kosovë e sa në Serbi.

Kërkesa e vetme ishte që palët të distancohen nga çdo veprim i  cili m und të cilësohet si provokim nga pala tjetër, barrikadat të hiqen si dhe t’i kthehet dialogut.

Ndërsa, serbët lokal dhe udhëheqësit e tyre në barrikada të cilët tashmë e quajnë “Shtabi i Krizës” kanë deklaruar se deri në plotësimin e kërkesave të tyre, barrikadat nuk do hiqen.

Kur jemi tek kërkesat, serbët duan lirimin e të gjithë serbëve të arrestuar të cilët akuzohen që kanë kryer vepra kundër rendit kushtetues të Kosovës si dhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Gjatë këtij muaji, në veri të Kosovës pati sulme ndaj Policisë së Kosovës, patrullës së EULEX-it dhe KFOR-it gjë e cila u quajt e papranueshme nga sfera politike ndërkombëtare.

Lidhur me situatën që është krijuar, Serbia është në pritje të përjigjës së KFOR-it ndaj kërkesës së tyre për të sjellë një pjesë të ushtrisë së saj në Kosovë.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se KFOR-i ka kërkuar pak kohë nga Qeveria e Kosovës për heqjen e barrikadave.

Në mesin e barrikaduesëve është raportuar se ka njerëz të armatosur por edhe njerëz të cilët janë të afërt me Rusinë dhe konkretisht me grupin e mercenarëve rus “Wanger”.

Po të njëjtit persona udhëhoqën edhe protestën e serbëve në pikën kufitare të Jarinjes të cilët po tentonin që të futeshin në Kosovë, por nuk u lejuan nga Policia e Serbisë.

/Shqip.com