Lajme

Kurti takon ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe u.d. Shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, diskutojnë për marrëveshjen për targat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në një takim ushtruesen e detyrës së Shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Anna Carin Platon dhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga ana e zyrës së kryeministrisë.

“Duke folur për takimin e datës 18 gusht në Bruksel, kryeministri Kurti theksoi se Republika e Kosovës ka treguar vullnet dhe gatishmëri për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë, drejt një marrëveshjeje që në qendër ka njohjen reciproke. Ai prezantoi elementet e gjashtë kapitujve të Kornizës së Përgjithshme të marrëveshjes së ardhshme me Serbinë, për normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër”, thuhet në njoftim.

Po ashtu është bërë e ditur se në këtë takim është diskutuar edhe për marrëveshjen për targat si dhe për zhvillimet politike në vend dhe rajon.

U ritheksua përkushtimi për bashkëpunim dhe bashkërendim të veprimeve ndërmjet Qeverisë, institucioneve të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë, thuhet më tutje në njoftim./Shqip.com