Lajme

Kurti takon ambasadorët e huaj, diskutohet për dialogun dhe kushtet për Asociacionin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendësi i tij, Besnik Bislimi kanë takuar sot ambasadorët dhe diplomatet e akredituar të misioneve diplomatikë në Kosovë.

Siç thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës, temë qendrore e diskutimit ka qenë procesi i dialogut dhe propozimi i Bashkimit Evropian.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi ka pritur sot në ndërtesën e Qeverisë ambasadorët dhe diplomatët e akredituar të misioneve diplomatike në Kosovë. Temë qendrore e diskutimit ishte procesi i dialogut, propozimi evropian dhe rruga përpara”, thuhet në njoftimin e ZK-së.

Para ambasadorëve dhe diplomatëve të huaj, Kurti ka prezantuar gjashtë kushtet e tij lidhur me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

 “Kryeministri Kurti i njoftoi ata me qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës përfshirë këtu edhe gjashtë pikat e prezantuara në Seancën e Kuvendit javën e kaluar në lidhje me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. Ndër të tjerash, ai tha se Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj për dialog përmes qasjes konstruktive dhe propozimeve kreative”.

I pari i ekzekutivit ka shprehur edhe gatishmëri për takimet e rashës në Bruksel për intensifikimin e procesit të dialogut dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë.

 “Ai po ashtu shprehu gatishmërinë e tij për takime të radhës në Bruksel të nivelit të lartë politik dhe intensifikim të procesit të dialogut për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër”.

Vlen të theksohet se gjatë ditës së sotme, Kurti dhe Bislimi do të takohen për një darkë pune me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

/Shqip.com