Lajme

Kurti takon Abazoviqin, bisedojnë për projektet infrastrukturore

Pamje nga takimi i kryeministrit Kurti me homologun nga Mali i Zi, Dritan Abazoviq

Gjatë qëndrimit në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar takim bilateral me kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Kryeministria ka njoftuar se në takim është biseduar për projektet që i presin dyja vendet dhe për mundësitë e bashkëpunimit në aspektin ekonomik.

“Në këtë takim, që u zhvillua në margjinat e Forumit Ekonomik në Shkup, kryeministri Kurti dhe kryeministri në detyrë Abazoviq, folën për projektet e përbashkëta dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Tutje, bëhet e ditur se në thelb të diskutimit ishin projektet infrastrukturore si investimet në rrugën Deçan-Plavë.

“Në veçanti, u diskutua për projektet infrastrukturore me interes për të dy vendet si ajo e rrugës Pejë-Rozhajë dhe rrugës Deçan-Plavë, që afrojnë edhe më shumë qytetarët dhe ekonomitë e Kosovës dhe Malit të Zi”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se, në Forumin Ekonomik që po mbahet në Shkup, kryeministri Kurti është takuar edhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, me të cilin kanë biseduar për investimet dhe mbajtjen e një forumi të biznesit.

/Shqip.com