Lajme

Kurti takoi gjeneratën e dytë të Programit për Diplomaci Qytetare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim gjeneratën e dytë të Programit për Diplomaci Qytetare.

Sipas komunikatës për medie në këtë këtë bashkëbisedim me pjesëmarrësit, kryeministri Kurti theksoi se përvoja e këtij programi do t’u shërbejë të gjithëve që të kenë sa më shumë suksese në afirmimin e Republikës së Kosovës, të drejtësisë dhe sukseseve të saj, por gjithashtu dhe në përmirësimin e imazhit ndërkombëtar, ku rol të rëndësishëm luan dhe mërgata.

“Si në aspektin akademik e të ndërmarrësisë, po ashtu edhe në atë kulturor e shoqëror. Andaj jemi këtu për t’i ndihmuar njëri tjetrit, në mënyrë që Programi për Diplomaci Qytetare të jetë nga viti në vit gjithnjë e me suksese më të mëdha, me të arritura të reja”, shtoi kryeministri.

Ai potencoi dhe mbështetjen e vazhdueshme e të palëkundur të qeverisë ndaj këtij programi e pjesëmarrësve të tij.

“E bashkatdhetarët tanë ne nuk i shohim në një raport le të themi që lëkundet midis nostalgjikes edhe folklorikes, por i shohim si pjesë vitale e kombit shqiptar, si shans i madh për vendin tonë, qoftë në kuptimin e progresit socio-ekonomik, po ashtu edhe atë të kulturës, të arsimit, dhe të diturisë, që ajo e ka në vendin ku është, e na nevojitet edhe këtu në vendin prej nga ata vijnë” tha kryeministri Kurti.

Kurse, zëvendëskryeministrja njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, shprehu kënaqësinë e saj të vazhdimit të programit dhe praninë e pjesëmarrësve kaq të përgatitur, bashkë me këtë dinamikë të jashtëzakonshme, e cila nga janari do vijojë dhe me zbatimin e projekteve të ndryshme, jo vetëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, por edhe në ministri të tjera.

Në vijim, kryeministri dëgjoi historitë, përvojat, sukseset dhe arsyet e aplikimit të pjesëmarrësve, pjesë e diasporës sonë në Gjermani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e më gjerë, të diplomuar në art, kulturë, politikë të jashtme e të tjera.

/Shqip.com