Kurti takohet me përfaqësuesit e KODE Labs, u diskutua për zhvillimin e produkteve softuerike

Gjatë vizitës në Detroit, Michigan, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u prit në takim nga përfaqësuesit e KODE Labs—KOsova & DEtroit.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, në këtë takim u diskutua për mënyrat se si qeveria mund të punojë me kompanitë e teknologjisë së informacionit dhe të trajnojë profesionistë të kësaj fushe, në shërbim të zhvillimit dhe rritjes së potencialit dhe kapaciteteve të teknologjisë së informacionit.

“U bisedua për potencialin e zhvillimit të produkteve softuerike, që mundësojnë efikasitet operacional dhe qëndrueshmëri”, thuhet në njoftim.
Tutje u bë e ditur se drejtuesit e ndërmarrjes prezantuan projektet e kësaj ndërmarrjeje, që ka dy zyra, në Detroit dhe Prishtinë dhe operon në Amerikë të Veriut, Evropë, Azi dhe Australi.
Gjatë këtij takimi nga ana a e palës kosovare u theksua klima tërheqëse për investime në Kosovë dhe gatishmëria e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të ofruar dhe siguruar kushte të favorshme./Shqip.com
