Lajme

Kurti takohet me Peach dhe Abbott, flasin për dialogun Kosovë-Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe emisari i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim emisarin e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach dhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott.

Temë diskutimi në këtë takim ishin paqja e qëndrueshme, stabiliteti afatgjatë, siguria rajonale dhe dialogu Kosovë-Serbi.

Derisa ka folur për dialogun Kosovë-Serbi, është shprehur se dialogu duhet të jetë parimor dhe integriteti territorial, sovraniteti, funksionimi shtetëror, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, tërë kohën dhe kudo, të ngelen të pacenuara.

Emisari i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach dhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar në procesin e dialogut në Bruksel. Dialogu duhet të jetë parimor dhe të respektojë barazinë e palëve dhe ku përfitues përfundimtarë janë qytetarët e jo politikanët”, tha Kurti.

Kurti foli edhe për përkushtimin për ruajtjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve me Mbretërinë e Bashkua.

“E ardhmja e Kosovës është në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe roli i Mbretërisë së Bashkuar në përshpejtimin e integrimit të Kosovës në NATO është qendror, e si hap i ardhshëm e i domosdoshëm është anëtarësimi i Kosovës në programin e NATO-s të Partneritetit për Paqe, proces i cili sjell stabilitet për rajonin”, ka thënë Kurti, bëhet e ditur në njoftimin e Kryeministrisë për media.

Më tej thuhet se Kurti e informoi emisarin për reformat e nisura duke theksuar përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zhvillim ekonomik, reformë në drejtësi dhe qeverisje të mirë.

Emisari Peach vlerësoi lart marrëdhëniet mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe shprehu gatishmërinë dhe vullnetin për të thelluar bashkëpunimin, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe të sigurisë.

Marrë për bazë përvojën e gjatë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, emisari Peach shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e tij për të ndihmuar në procesin e dialogut./Shqip.com