Lajme

Kurti takohet me kandidatët shqiptarë për deputetë në Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këto dy ditët e fundit priti në takim gjashtë nga shtatë kandidatët shqiptarë për deputetë në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi, të cilët tashmë kanë publikuar kandidaturat e tyre.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, në këtë takim u diskutua gjendja e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, “diskriminimi që u bëhet atyre dhe asimetria me Kosovën, ku siç dihet, në Kosovë deputetët e Listës Serbe i bojkotojnë dhjetë ulëset e rezervuara, ndërkaq në Luginë, shqiptarëve iu pasivizohen adresat dhe diskutohet nëse do të mund t’i arrijnë tre deputetë”.

Gjatë këtij diskutimi, ishte konstatim i përbashkët, që një listë e përbashkët “ndihmon shumë drejt përfaqësimit sa më të mirë të shqiptarëve”.

Kryeministri Kurti i falënderoi pjesëmarrësit Shaip Kamberi, Nagip Arifi, Ragmi Mustafa, Shqiprim Jonuzi, Naser Aziri e Armend Aliu për kontributin e tyre të deritanishëm dhe u dëshiroi sukses në zgjedhjet e radhës.

/Shqip.com