Lajme

Kurti takohet me Drejtoren e Europol-it, bisedohet për krimin e organizuar dhe korrupsionin

Takimi i kryeministrit Kurti me Drejtoren e Europol, Catherine De Bolle

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të Konferencës së Sigurisë që po mbahet në Mynih të Gjermanisë ka takuar edhe Drejtoren Ekzekutive të Europol-it, Catherine De Bolle, me të cilen diskutoi për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të rendit dhe Europol-it dhe suksesin e Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Gjatë dy viteve të fundit Policia e Kosovë ka zhvilluar 854 operacione policore, ku janë arrestuar 3202 persona, prej të cilëve 301 zyrtarë shtetërorë. Në dy vite qeverisje janë konfiskuar gjithsej 1.8 ton substanca narkotike, nga të cilat 400 kilogram në vitin 2021, si rezultat i operacionit të përbashkët me DEA-n amerikane dhe autoritetet italiane dhe ato të Shqipërisë“, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Më tej Kurti ka thënë se “vendi ynë është ngritur për 20 vende në dy vitet e fundit në indeksin e perceptimit të korrupsionit të Transparency International, për 17 vende në indeksin e Lirisë së Mediave të Reporterëve pa Kufi, dhe për të dytin vit radhazi është renditur e para në Ballkanin Perëndimor për sa i përket sundimit të ligjit sipas Projektit të Drejtësisë Botërore”.

Drejtorja Ekzekutive e Europol-it, De Bolle, u shpreh e kënaqur me marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2021 ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Europol, që ia mundëson Kosovës emërimin e një zyrtari të zyrës ndërlidhëse në Europol dhe krijon kanal të sigurtë të komunikimit dhe shkëmbimit të informacioneve.

Po ashtu edhe me pjesëmarrjen, bashkëpunimin dhe kontributin e Policisë së Kosovës në aktivitete të përbashkëta me Europol-in, De Bolle theksoi se bashkëpunimi është katërfishuar.

/Shqip.com