Kurti takohet me bashkatdhetarët në Chicago: Një pjesë vitale e popullit tonë ndodhet jashtë vendit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë qëndrimit të tij në Chicago të Illinois është takuar edhe me shqiptarët që jetojnë atje.
Kurti i ka falënderuar bashkatdhetarët për pritje dhe për kontributin e tyre për Kosovën, Shqipërinë dhe mbarë kombin shqiptar.
“Sa herë që takohet me bashkatdhetarë e kupton se një pjesë vitale e popullit tonë ndodhet jashtë vendit”, u shpreh kryeministri para tyre.

Kurti ka thënë se ata janë brenda kombit, andaj kanë meritat dhe të drejtat e tyre, por në të njëjtën kohë përgjegjësinë tonë për t’u ndihmuar në forcimin e pozicionit të tyre atje dhe në lehtësimin e kthimit në atdhe.
Kryeministri Kurti gjatë bisedimit me bashkatdhetarë është shprehur se synimi i Qeverisë nëpërmjet nismës së Dialogut me Mërgatën të rrisë partneritetet me mërgatën dhe bashkëpunimin e tyre me institucionet e Kosovës në arsim, investime dhe inovacione.
Kurti gjatë këtij takimi ishte i shoqëruar dhe nga ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ilir Dugolli.

Kryeministri Kurti deri tani ka zhvilluar vizita dhe takime në Washington D.C, California, Texas, Iowa, Illinois, ndërkaq sot ka udhëtuar për në Michigan, për të vazhduar pastaj në Washington D.C., Massachusetts e New York./Shqip.com