Lajme

Kurti takohet me ambasadorët e shteteve të KE-së, flitet për aplikimin e Kosovës për anëtarësim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar nga ambasadorët e shteteve anëtare në Këshillin e Evropës.

Siç ka njoftuar kryeministria, Kurti ka folur për progresin e zhvillimit të Kosovës në demokratizimin e vendit.

“Në përfundim të ditës së parë nga vizita në Strasbourg, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u prit nga mbi 30 ambasadorë të shteteve anëtare në Këshillin e Evropës. Në fjalën e tij, ai foli mbi progresin dhe zhvillimin e Kosovës në demokratizimin e vendit, rritjen ekonomike, sundim të ligjit e drejtësi”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Po ashtu, në këtë takim Kurti foli edhe mbi aplikimin për anëtarësimin e Kosovës në KE.

“Kosova ka bërë hapa të mëdhenj drejt demokratizimit dhe zhvillimit ekonomik, tregues të së cilës janë indekset dhe rankimet ndërkombëtare që faktojnë se Kosova është një histori suksesi e demokracisë cilësore dhe zhvillimit ekonomik. Kryeministri Kurti foli dhe mbi aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës Republika e Kosovës ndan të njëjtat vlera dhe parime me Këshillin e Evropës, të cilat janë të mishëruara edhe në Kushtetutën e Republikës”.

Tutje, Kurti falënderoi vendet anëtare për mbështetjen e deritanishme dhe kërkoi nga to vazhdimin e saj për të avancuar tutje në këtë proces deri në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

/Shqip.com