Lajme

Kurti: Sot nisëm transformimin e AKP-së dhe ndaljen e tjetërsimit zhvatës të pronës e pasurisë sonë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pasi Qeveria në mbledhjen e së martës miratoi propozimin e kandidatëve për bord të Agjencisë së Kosovës për Privatizim, njofton Shqip.com.

Sipas tij, ky vendim nis përgatitjen e transformimit të kësaj agjencie dhe “ndaljes së tjetërsimit zhvatës të pronës e pasurisë sonë”.

“Privatizimi i egër që nisi në vitin 2002, nuk ishte brutal vetëm nga aspekti socio-ekonomik. Në qershor 2012, ish kreu i AKP-së u gjet i therur me 11 të rëna të thikës në një vdekje të dhunshme që ende mbetet enigmatike”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Më tej, shefi i qeverisë ka theksuar se Kosova duhet të lëvizë drejt Fondit Sovran dhe Agjencisë e Bankës Zhvillimore.

“Nuk do të jetë lehtë dhe as s’e bëjmë dot përnjëherë. Mirëpo, ndryshimi për të cilin votuan qytetarët dhe programi ynë qeveritar janë rruga e së ardhmes”.

Andaj, ky edhe është bordi i fundit i AKP-së, ka përfunduar Kurti.

Emrat të cilët qeveria ka propozuar për t’u bërë anëtarë të këtij bordi janë: Nazmi Mikollovci, Suzana Dautaj, Mentor Hyseni, Vjollca Jashari, Violeta Arifi Krasniqi, Xhevdet Neziraj, Halim Muqolli dhe Avni Ajdini./SHQIP.com