Lajme

Kurti: Sot ishte një seancë e suksesshme në të cilën më së paku kishte rëndësi sa kujt i dukesha i rrezitur unë

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës

Kryeministri Albin Kurti tha se me votimin e sotëm në lexim të parë të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, do të ecin bashkë drejt mundësimit të konfiskimit civil, pa dënim, të pasurisë që nuk justifikohet dot.

Kurti e ka quajtur seancën e sotme të suksesshme, teksa u shpreh se “më së paku kishte rëndësi sa kujt i dukesha i rrezitur unë”.

“Ndërkohë, procesi i vettingut në sistemin e drejtësisë është një çështje tjetër, dhe konsultimet me partitë opozitare për të sigurisht që duhet të vazhdojnë”, tha Kurti në Facebook-un e tij.

Ai i falënderoi deputetët e Kuvendit për këtë votim me të cilin thotë se “iniciuam themelimin e një mekanizmi të rëndësishëm me diskrecion për të hetuar pasurinë e të gjithë personave zyrtarë”.

Kuvendi i Kosoves

“Me rekomandimet e vlefshme të Komisionit të Venecias, ky Projektligj do të standardizohet plotësisht në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe, po ashtu, do ta rrisë efikasitetin e luftimit të korrupsionit, siç ka qenë zotimi ynë e për të cilin jemi maksimalisht të përkushtuar”, ka shkruar shefi i qeverisë.

Ndër të tjerash, ai shtoi se në seancën e sotme gjithashtu është miratuar Projekt-kodi i Procedurës Penale.

“Projekt-kodi është hartuar në përputhje me praktikat dhe standardet më të avancuara ndërkombëtare i cili përveç përmirësimit të procedurave penale, do t’i kontribuojë tutje ndjekjes dhe ndëshkimit të rasteve korruptive. Një vëmendje të veçantë i është kushtuar të drejtave të palëve në procedurë, në veçanti të drejtave të palëve të dëmtuara apo viktimave”.

Lexo edhe:
Miratohet Projektligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë, Konjufca dhe Kica abstenojnë

Ndërkaq Projektligji për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë, i miratuar sot, sipas Kurtit, parasheh reformimin e pakos së ligjeve anti-korrupsion dhe avancimin e këtij segmenti të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë, përmes së cilit do të mundësohet krijimi i një klime ku parandalohet dhe luftohet korrupsioni dhe pasurimi i paligjshëm nga këto kategori./Shqip.com