Ekonomi

Kurti: Sot është përmbyllur procesi i ofertimit për ankandin e parë solar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar se sot kanë përmbyllur procesin e ofertimit për ankandin e  parë solar 100 megavatesh.

Ai ka thënë se kanë pranuar gjashtë oferta, duke treguar se deri më 3 shkurt mund të pranohen edhe të tjera përmes postës.

“Ankandi është sukses drejt ndërtimit të kapaciteteve të reja me çmimin më të përballueshëm për qytetarët, kurse procesi i realizimit të tij është sukses i transparencës e konkurrencës në sektor”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në “Facebook”.

“Për herë të parë në vendin tonë po realizohet një skemë e tillë konkurruese, ku kompanitë e kualifikuara vijnë të garojnë për të investuar në Kosovë. Ministria e Ekonomisë me përkrahje të USAID ka dizajnuar një skemë tërheqëse për këto kompani.  Pas ankandit të parë, në radhë janë skemat tjera konkurruese për realizimin e 950 megavatëve nga burimet e erës dhe diellit”, ka thënë Kurti.

/Shqip.com