Lajme

Kurti: Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e luftës

Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i VV-së, Albin Kurti
Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i VV-së, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar për miratimin e Ligjit për Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës.

Kurti ka falënderuar të gjithë deputetët që votuan për jetësimin e këtij instituti.

“Kemi përjetuar dëme shkatërruese që asnjëherë nuk i kemi matur tamam. As 24 vite pas, nuk kemi shifra që do të mund të na tregonin dëmet nga lufta në vendin tonë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Postimi i plotë:

Falënderoj secilën e secilin deputet që me votën e tyre po e jetësojmë Institutin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, që do të adresojë krimet e Serbisë në luftën e viteve 1998-1999.

Kemi përjetuar dëme shkatërruese që asnjëherë nuk i kemi matur tamam. As 24 vite pas, nuk kemi shifra që do të mund të na tregonin dëmet nga lufta në vendin tonë.

Dëmet e shkaktuara dhe vuajtjet e përjetuara nuk janë statistika, por duhen edhe statistikat për ta kuptuar përmasën e padrejtësisë. Për të pasur një hartë të detajuar mbi të gjitha krimet e luftës se ku, çka, si dhe ndaj kujt u ushtruan ato krime në luftën e fundit. Për institucionalizimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e kujtesës kolektive, e cila do të na shërbejë edhe neve edhe brezave pas nesh.

Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe veprimet gjenocidale të kryera në Kosovë.

Republika e Kosovës nuk mund të harrojë.

/Shqip.com