Lajme

Kurti: SBASHK-u i pasinqertë, BSPK-së i propozova ta bëjmë bashkë pakon anti-inflacion – refuzuan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur në Kuvend për grevën e përgjithshme të Bashkimit të Sindikatave te Pavarura te Kosoves (BSPK).

Ai tha se është takuar me kryetarin e BSPK-së, Atdhe Hykollin që pakon anti-inflacion ta bëjnë bashkë.

Ai ka shtuar se këtë propozim e ka bërë si socialdemokrat, pasi thotë se “është për forcimin e sindikatave”.

“Kanë refuzuar, nuk kanë dashur pakon anti-inflacion ta dizajnojmë bashkë”.

Më pas Kurti tha se më 3 shtator kanë propozuar 50 euro shtesa për punonjësit publikë.

Kurti shtoi se “SBASHK-u nuk është i sinqertë”, pasi pas takimit nuk e konsultuan anëtarësinë për vazhdimin apo ndërprerjen e grevës.

Ilustrim

Duke e quajtur gabim kërkesën prej 100 euro, Kurti tha se nëse një kategori kërkon shtesa dhe bën grevë atëherë mund të kërkojnë edhe kategoritë tjera.

“A e dini çka ndodhë nëse ka këso marrëveshje të pjesshme, është plotësisht legjitime dhe do të ishte iracionale nëse nuk pasojnë grevat tjera, secila kategori bëhet legjitime me bë grevë masnej, çka po bëhet me shtetin se unë jam klasë e mesme po me shtetin çka po bëhet? Çka ndodhë me shtetin, nëse kjo është mënyra që dikush thotë se derisa të kalojë projektligjit kategorisë time shtoja nga 100 euro mandej pse nuk është legjitime edhe një kategori tjetër me lypë njësoj, nuk kemi kategori të shenjtë në Kosovë, policët, zjarrëfikësit, ushtarët, administrata, të gjithë njerëzit janë njësoj se jemi republikë dhe demokraci prandaj nuk është kjo mënyra e zgjidhjes së problemit”, u shpreh Kurti.

Theksojmë se që nga 25 gushti mësimdhënësit kanë hyrë në grevë.

Mësimdhënësit po kërkojnë miratimin në Kuvendin e Kosovës të Ligjit të Pagave, i cili do t’i rregullonte pagat në sektorin publik në bazë të një hierarkie të detyrave, por deri në miratimin e tij, kërkojnë shtesa në pagë prej 100 eurove në muaj./Shqip.com