Lajme

Kurti reagon pas lirimit të Frashër Krasniqit dhe të tjerëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka reaguar përmes një statusi në Facebook, pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur sot aktgjykim lirues ndaj Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi, lidhur me akuzën për terrorizëm, duke e quajtur “vendim meritor”.

Ata akuzoheshin se janë përgjegjës për sulmin në Kuvendin e Kosovës, në gushtin e vitit 2016.

Sipas aktgjykimit, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi lirohen nga aktakuza, pasi nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale që iu vihej në barrë.

Postimi i plotë

Në gusht të vitit 2016 u arrestuan aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për një sulm që kishte ndodhur ndaj Kuvendit të Kosovës. Ishte kjo ndër përpjekjet e mëdha për ta eliminuar Lëvizjen tonë nga skena politike. Sot, 6 vite më vonë aktivistët tanë shpallen të pafajshëm ndaj kësaj akuze. Ndonëse drejtësi e vonuar, megjithatë duhet përshëndetur për vendimin meritor final. 

Por, ky rast nuk është thjesht drejtësi e vonuar, por edhe një jetë e humbur. Astrit Dehari, aktivisti ynë është marrë në burg për këtë akuzë dhe kur sot kjo akuzë bjen tërësisht, ai më nuk gjendet në mesin tonë. Nëse deri tash kemi bërë thirrje ‘’Drejtësi për Astritin’’ për të zbuluar tërësisht rastin, tash kjo thirrje bëhet edhe më e prerë. Përgjegjësit e rastit të Astrit Deharit duhet të japin llogari për arrestimin e një të pafajshmi dhe mbytjen e një aktivisti politik.

/Shqip.com