Lajme

Kurti pritet nga Begaj, bisedojnë për procesin e dialogut Kosovë-Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pritur në takim sot nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

Siç njoftojnë mediat në Shqipëri, Begaj dhe Kurti kanë biseduar për zhvillimet e fundit në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Begaj, pasi u informua në detaje mbi negociatat e zhvilluara me Serbinë, të udhëhequra nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përshëndeti lidershipin, maturinë dhe kurajon e treguar nga Kryeministri Kurti dhe ekipi negociator i Republikës së Kosovës, për ta pranuar planin evropian, si dhe për ta nënshkruar e zbatuar atë.

Begaj vlerësoi se dakordësimi publik dhe angazhimi i palëve për të zbatuar planin evropian të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin përkatës, si një pjesë integrale të tij është një garanci më shumë për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.

/Shqip.com