Lajme

Kurti pret në takim një delegacion nga BERZh, u bisedua për projektet aktuale dhe bashkëpunimin për të ardhmen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në një takim delegacionin nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh).

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga zyra e kryeministrit.

Në këtë takim sipas njoftimit është biseduar për projektet aktuale dhe mundësitë e themelimit të bashkëpunimit për të ardhmen.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim delegacionin nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) të kryesuar nga Mark Bowman.Në takimin e përbashkët me Zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi dhe Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, u  bisedua  për projektet aktuale dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit për të ardhmen”, thuhet në njoftim.

Foto nga takimi

Po ashtu është bërë e ditur se u bisedua edhe për ndikimin e agresionit rus ndaj Ukrainës, në rritjen e çmimeve të ushqimeve, karburanteve dhe energjisë. U theksua se Qeveria po mbështetë qytetarët dhe bizneset në përballje me inflacionin me një sërë masash.

Në këtë takim u potencua se partnerët ndërkombëtarë kanë luajtur rol kyç në shtyrjen e agjendës sonë përpara lidhur me përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë në përgjithësi./Shqip.com