Lajme

Kurti pret në takim delegacionin e qeverisë dhe parlamentit danez

Pamje nga takimi

Ministri i Drejtësisë i Mbretërisë së Danimarkës, Peter Hummelgaard, bashkë me anëtarë të Komisionit Parlamentar për Legjislacion, po qëndron në Kosovë.

Pas një takimi që ky delegacion zhvilloi me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të njëjtit janë pritur në takim edhe nga kryeministri Albin Kurti, i cili ishte i nga zv.ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu si dhe ambasadori i Kosovës në Danimarkë​, Faruk Ajeti.

Sipas njoftimit të Kryeministrisë, Kurti i ka njoftuar të pranishmit me të arriturat e Kosovës në fusha të ndryshme, “të evidentuara edhe nga organizatat ndërkombëtare prestigjioze si Freedom House, World Justice Project e Transparency International”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës mbështetet në parimet e sundimit të ligjit, pluralizmit politik e të drejtave të njeriut, si vlerave thelbësore të një shoqërie demokratike”, ka potencuar Kurti në këtë takim.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve në fushën e drejtësisë, përfshirë zgjerimi i bashkëpunimit në fushën e tregtisë dhe investimeve direkte.

Kryeministri falënderoi ministrin danez dhe anëtarët e pranishëm të Parlamentit për mbështetjen e Mbretërisë së Danimarkës ndaj Republikës së Kosovës në rrugëtimin e saj euro-atlantik.

Për dallim nga takimi i danezëve me Haxhiun që u zhvillua në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, të cilën qendër Kosova ia ka dhënë me qira Danimarkës, në takimin e Kurtit me delegacionin danez nuk thuhet të jetë folur për atë çështje.

/Shqip.com