Lajme

Kurti: Po e përmbyllim vitin me rritje prej 9.9 për qind të ekonomisë

Albin Kurti në Mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se viti po mbyllet me një rritje prej 9.9 përqind të ekonomisë në vend, përcjell Shqip.com.

Këto deklarata ai i bëri në raportimin para Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ku ka folur për të arriturat e Qeverisë të cilën ai e udhëheq.

“Ekonomia është kthyer drejt zhvillimit. Vitin po e përmbyllim me një rritje prej 9.9 përqind të bruto produktit vendor, sipas vlerësimeve të BQK. Këto kanë bërë që të ketë më shumë shpenzim dhe më shumë kontribut. Kemi zhvilluar gjithashtu edhe mbi 10 mijë vende të reja të punës”, u shpreh ai.

Sipas tij, Qeveria ka bërë një menaxhim të mirë të pandemisë COVID-19, duke shtuar se ka filluar dhënia e dozës së tretë të vaksinës kundër Coronavirusit.

“Kemi filluar dhënien e dozës perforëcuese, pra të dozës së tretë të vaksinës  antiCOVID. Kosova është prise në rajon për shkallën e vaksinimit dhe menaxhimin e pandemisë”, tha Kurti.

Po ashtu, ai ka folur edhe për të arriturat e Qeverisë edhe në fushën e sportit, kulturës, rinisë si dhe mbështetjen ndaj lehonave.

“Kemi mbështetur familjet, sportin, kulturën si dhe nënat lehona dhe fëmijët. Kemi bërë miratimin e projekligjit për gjykatën komerciale. Janë realizuar  509 aksione policore dhe duke shkatërruar 42 grupe kriminale. Ka filluar reciprociteti i targave me Serbinë. Kemi bërë edukimin falas në të gjithë nivelin në sektorin publik. Kemi ndarë 500 bursa për nxënësit e shkollave të mesme të komunitetit RAE. Kemi mbështetur gratë”, u shpreh ai.

Tutje, Kurti vitin 2021 e quajti “vit i Kosovës sovrane”, duke shtuar se vitin e ardhshëm do të aplikojnë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Ky ishte vit i Kosovës sovrane. Ne do të punojmë shumë e pa u lodhur në zhvillimin e ekonomisë, për krijimin e vendeve të reja të punës si dhe do të punojmë shumë edhe në drejtësi për të luftuar krimin e korrupsionin. Viti 2022 siç e kemi thënë,do të jetë viti ku do të bëjmë aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, u shpreh ai./SHQIP.com