Lajme

Kurti: Përvoja e Norvegjisë me investimin në edukim është mësim i vlefshëm për të gjithë

Albin Kurti gjatë vizitës në Norvegji

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka ftuar homologun e tij nga Norvegjia, Jonas Gahr Støre, që ta viziton Kosovën.

Kurti i ka bërë thirrje Kryeministritë të Norvegjisë, që të rritet bashkëpunimi ekonomik dhe shkëmbimet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Norvegjisë.

“Ndërkaq dje dhe sot u takova me ministren e Jashtme të Norvegjisë, Anniken Huitfeldt të cilën e falënderova për mbështetjen e pakursyer në çështje të sigurisë, të zhvillimit socio-ekonomik dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, ka thënë Kurti.

Ai gjithashtu ka zhvilluar takim edhe me ministrin norvegjez të Naftës dhe Energjisë, Terje Aasland, të cilën e ka njoftuar për prioritet tona në fushën e energjisë dhe mundësitë e investimeve në këtë fushë në Kosovë.

“Me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Jan Christian Vestre folëm për burimet tona natyrore, rininë e talentuar dhe lokacionin e favorshëm gjeografik të Kosovës si parakusht për investime të huaja direkte, sidomos në sektorin e minierave. Dhe me Presidentin e Konfederatës së Sindikatave norvegjeze, Peggy Hessen Følsvik dhe me Shefin e Departamentit Ndërkombëtar të Federatës së Punëdhënësve, Tore Myhre folëm për rëndësinë që konkurrueshmëria e kompanive të zhvillohet paralelisht me të drejtat e punëtorëve”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri kosovar ndër të tjera ka thënë se përvoja e Norvegjisë me investimin në edukim, për mirëqenie sociale dhe tash në ekonomi të gjelbër, është mësim i vlefshëm për të gjithë ata që duan një shoqëri barazimtare e me zhvillim të qëndrueshëm.

“Në këtë vizitë isha i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku Bërdyna, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi dhe këshilltari politik, Jeton Zulfaj”, ka bërë të ditur Kurti./Shqip.com