Lajme

Kurti përmend emrat e organizatorëve të trazirave në Veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë si autore për eskalimin dhe tensionimin në veri të Kosovës ditët e fundit, që kur kryetarët e rinj të komunave në veri hynë në objektet komunale me ndihmën e Policisë, për të ushtruar detyrat e reja.

Në debatin parlamentar për situatën e fundit, Kurti ka thënë se Beogradi zyrtar ka mobilizuar grupe kriminale për ta eskaluar gjendjen, duke publikuar emrat e disa prej njerëzve që ka thënë se janë organizatorët kryesorë të trazirave në veri ditëve të fundit.

Sipas tij, rolin kryesor në organizimin e protestuesve po e kryejnë anëtarë e formacionit ilegal të së ashtuquajturës “mbrojtje civile” dhe ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

“Këto protesta me gjithë dashakeqësinë na kanë shërbyer të bëjmë identifikime të vlefshme”, ka thënë ai në Kuvend.

Kurti ka përmendur të parin Milorad Jevtiqin. Ka thënë se është një nga drejtuesit e këtij formacioni ilegal e se shtëpia e tij është “bazë qëndrimi për drejtuesit e strukturës ilegale”, të cilën e ka ndërlidhur me Listën serbe

Tutje ka përmendur Miçko Jevtiqin, Rajko Jevtiqin, Danilo Josifoviqin, Liljana Aksentijeviqin e Aleksandër Filipoviqin. Ai gjithashtu theksoi se si qeveri i kanë shumë dëshmi se si kanë vepruar bandat kriminale në veri gjatë kësaj kohe.

“Kemi datën 29 maj ku një pjesë e mirë e bandave kriminale u kthyen të organizuar për ta eskaluar situatën. Kemi pamje e video, e foto që eskalimi i situatës ishte i planifikuar, mirë organizuar dhe kishte autor. Autor është Beogradi zyrtarë i cili është kujdesur që shqetësimet e shprehura nga zërat e ndryshëm që paralajmëronin eskalim të situatës se nëse policia nuk tërhiqet, nëse kryetarët nuk shkojnë në punë që këto shqetësime t’i kthejnë në realitet.

Pra ngritja e shqetësimeve të shumta për eskalim të situatës bëri që Serbia të mobilojë grupe kriminale që vërtetë ta eskalojnë situatën. E kundërta duhet të ndodhte, që të mbështeteshin kryetarët e rinj në vendin e tyre të punës”, ka deklaruar kryeministri Kurti në fjalën e tij para deputetëve.

/Shqip.com