Lajme

Kurti përkujton Zoran Gjingjiqin në 20 vjetorin e vrasjes së tij

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Foto: AP
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Foto: AP

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, ka përkujtuar Zoran Gjingjiqin në 20 vjetorin e vrasjes së tij.

“Qeveria e Serbisë do të ketë qenë duke e menduar tashmë shënimin e 100 vjetorit të vrasjes makabre të mbretit Aleksandar Obrenoviq, gruas së tij e dy vëllezërve të tij, kryetarit të qeverisë dhe ministrit të tij të ushtrisë. Dy muaj e gjysmë ishte larg ky përvjetor shekullor, kur u vra kryeministri Zoran Gjingjiq, ndër liderët politikë të rrallë të Serbisë që nuk bashkëpunoi me Millosheviqin ndonëse nuk e zgjidhi ndonjëherë kundërthënien ndërmjet liberalizmit (perëndimor) dhe nacionalizmit (serb)”, ka shkruar fillimisht Kurti.

Më tutje Kurti është shprehur se Atentatorët që vranë ish kryeministrin serb më 12 mars 2003, u dënuan por jo edhe urdhërdhënësit.

Zoran-Gjingjiq

“Atentatorët që vranë ish kryeministrin serb më 12 mars 2003, Zvezdan Jovanoviq – Zmija dhe Milorad Ulemek – Legija, përfunduan në CZ të Beogradit të dënuar me nga 40 vjet burg, por jo edhe urdhërdhënësit të cilët nuk u zbuluan kurrë (ndoshta pse diheshin ngahera). Këta të dy janë edhe kriminelë lufte në Kosovë, organizatorë e ekzekutorë masakrash mbi shqiptarët, e bashkë me Goran Radisavljeviq – Gurin, thuhet se janë edhe pjesëmarrës në shtet-rrethimin e Jasharëve në Prekaz. Krimi i organizuar, krimet e kryera gjatë luftës dhe diktatura shoviniste ecin bashkë”.

Në dy shekuj ekzistencë, Serbia i kishte dy vjet demokraci. Me qeverisjen e Zoran Gjingjiq, mbështetja për anëtarësimin në Bashkimin Evropian pat mbërrirë në 3/4 e popullsisë së Serbisë, kurse tani ajo ka rënë te 1/3. Për Gjingjiqin sot në Beograd do të ketë shumë pikëllim të shtirur e lotë të rrejshëm, ka shtuar më tutje Kurti.

/Shqip.com