Lajme

Kurti përkujton vëllëzërit Gërvalla me baladën e Ismail Kadares

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar Jusuf e Bardhosh Gërvallën me rastin e 41-vjetorit të vdekjes së tyre.

Këtë përkujtim, Kurti e bënë me një pjesë nga balada e shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadares e titulluar, “Baladë për Jusuf Gërvallën”.

“”Deklaroj se mua J.G., vëllanë tim B.G. dhe shokun i vrau policia e fshehtë jugosllave… për të vetmen arsye se ne luftojmë për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës… dhe që Kosova të jetë Republikë… Kaq kisha.” – Me këto fjalë i ka përshkruar çastet e fundit të jetës së Jusuf Gërvallës, shkrimtari Ismail Kadare, në tregimin e tij “Baladë për Jusuf Gërvallën”.  Por ky nuk është vetëm një dialog letrar, sepse ky tregim rrëfen një ngjarje të vërtetë historike. Si sot, plot 41 vite më parë, më 17 janar 1982, shërbimi sekret i Jugosllavisë vrau në Untergrupenbach pranë Heilbronnit në Gjermani, Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën dhe Bardhosh Gërvallën. Arsyeja e këtij atentati kriminal të autoriteteve të Serbisë, ishte aktiviteti i tyre për më shumë liri, për liri të plotë për shqiptarët, për çlirimin e Kosovës, për Republikën e Kosovës”, shkroi Kurti në Facebook.

Tutje, Kurti shtoi disa fjalë për Jusuf Gërvallën dhe vëllain e tij, duke treguar për jetën dhe veprimtarinë e tyre.

“Jusufi na ka lënë shumë këngë bashkë me vëllain e tij Bardhoshin që ende dëgjohen dhe këndohen, siç na ka lënë dhe një trashëgimi letrare origjinale që vazhdon të lexohet dhe studiohet. Por mbi të gjitha, ai i ka lënë trashëgimi historisë moderne të Kosovës dosjen e tij, që nuk është vetëm dosja e vetë Jusufit, Bardhoshit dhe Kadriut, por është edhe dosja e një kohe kur Serbia shtypte dhe diskriminonte shqiptarët mbi baza etnike, burgoste, përndiqte dhe vriste ata që kishin guxim qytetar dhe vullnet politik për të kundërshtuar politikat e saj dhe për t’u ngritur kundër gjendjes së shqiptarëve në Jugosllavi”.

Kujtojmë se sot gjatë ditës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryekuvendari, Glauk Konjufca kanë shkuar më vendlinjen e vëllëzërve Gërvalla për përkujtim.

/Shqip.com