Lajme

Kurti në 25-vjetorin e rënies së Luan Haradinajt: Luan me emër dhe luan me vepra

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar 25 vjetorin e vrasjes së Luan Haradinaj, ku ka thënë se ishte luan me emër dhe luan me vepra.

Kurti përmes një postimi në Facebokk ka thënë se Luan Haradinaj ishte një zemërluan, zemra e të cilit pushoi së rrahuri si sot më 6 maj 1997, i qëlluar nga forcat okupatore serbe në Qafëmullar.

“Luani ra dëshmor teksa po kalonte kufirin e vendosur nga Serbia mes Shqipërisë dhe Kosovës, atë kufi që e kishte kaluar me dhjetëra herë, duke bartur edhe armë bashkë me shokët, disa prej të cilëve po ashtu do të binin dëshmorë. Student në Shqipëri dhe luftëtar në Kosovë, Luan Haradinaj realizoi edhe i vetëm shumë aksione guerile kundër policisë serbe”, ka shkruar ai.

Kryeministri Kurti ka thënë se Luani kishte vullnet për të studiuar siç kishte edhe vullnet për të luftuar, derisa ra dëshmor për lirinë e Kosovës, këtu e 25 vjet më parë.

“Ndonëse ishte vetëm 23 vjeçar kur ra dëshmor, Luan Haradinaj ishte një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rrjeteve logjistike të saj”, ka thënë ai.

Kurti ndër të tjera ka shkruar “Lavdi veprës së tij dhe të gjithë dëshmorëve që me jetën e tyre paguan lirinë e të gjithë neve”./Shqip.com