Lajme

Kurti përkujton Fehmi Aganin: Ky eliminim kriminal u krye nga policia serbe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar Fehmi Aganin në 23 vjetorin e vrasjes së tij.

Kurti ka thënë se Agani ishte njeriu i cili pati kurajo që më 30 dhjetor 1991, kur policia serbe për herë të parë sulmoi familjen Jashari në Prekaz dhe arrestoi edhe Shaban Jasharin, shkoi të ndërmjetësonte me policinë për ta hequr rrethimin.

“Në mesin e mijëra shqiptarëve që forcat e Serbisë po i deportonin me trena nga Kosova në pranverën e vitit 1999, ishte edhe ky burrë i urtë 67 vjeçar, që po jetonte dramën e popullit të tij sikur secili njeri që atë ditë, më 6 maj 1999, kishte qëlluar në trenin ku ishte edhe ai. Megjithëse treni arriti deri në kufi me Maqedoninë, policia serbe e ktheu atë sërish në Fushë-Kosovë, ku pasi zbriti të dëbuarit, disa prej tyre i arrestoi.

Ndër ta edhe atë, akademikun dhe politikanin Fehmi Agani. Të nesërmen, ai u gjet i vrarë ndanë një rruge në afërsi të Lipjanit. Sot, bëhen 23 vjet nga dita kur u vra Fehmi Agani! Ky eliminim kriminal, u krye nga policia serbe në rrethana edhe sot të pasqaruara plotësisht”, ka shkruar ai.

Kryeministri Kurti ka shkruar edhe për karrierën profesionale dhe politike te Fehmi Aganit, ku ka thënë se ai dinte të bënte një figurë të mirë në publik, prej profesori të ditur, intelektuali humanist dhe prej politikani racional.

“Pjesëmarrës në shumë procese shoqërore e politike dhe hartues i shumë dokumenteve me rëndësi historike, Profesor Fehmi Agani la pas edhe një trashëgimi të pasur shkrimesh e veprash për teoritë sociologjike, shoqërinë civile, demokracinë, kombin, vetëvendosjen, rrymat politike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, për gjuhën e dhunës, sindikatat gjermane dhe një mori temash të tjera sociale e politike”, ka shkruar Kurti.

Kurti ndë të tjera ka shkruar se teksa e përkujtojmë jetën dhe veprimtarinë e tij, e ritheksojmë përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, për të zbardhur para drejtësisë dhe historisë, krimet e Serbisë të kryera në Kosovë, siç është edhe vrasja e Fehmi Aganit./Shqip.com