Lajme

Kurti për zgjedhjet e 3 prillit: Nuk e kemi një marrëveshje, është për të ardhur keq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk është arritur asnjë marrëveshje në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë për zgjedhjet e 3 prillit.

Kurti gjatë një interviste ka folur për mundësinë e mbajtjes së këtyre zgjedhjeve në Kosovë.

“Në rastin e fundit të zgjedhjeve të paralajmëruara të Serbisë për datën 3 prill ne kemi kërkuar që të ketë një marrëveshje paraprake në bazë të së cilës do të mund të mbaheshin ato zgjedhje edhe në Republikën e Kosovës. Unë e kuptoj se ka qytetarë të Kosovës që e kanë edhe nënshtetësinë e Serbisë, duan të votojnë në zgjedhjet e Serbisë mirëpo kjo është e mundshme pasi që të kemi një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë”, shtoi ai në një intervistë për RTK-në.

Kurti ka thënë se për tu bërë ajo marrëveshje, letrën e kërkesës për mbajtje e zgjedhjeve natyrisht se si qeveri e Republikës së Kosovës e presim nga qeveria e Republikës së Serbisë.

“Pra ai që është i interesuar për një gjë e bën kërkesën. Kur ne e pranojmë kërkesën dhe jemi dakord, kjo bëhet marrëveshje”, shpjegoi Kurti.

Kurti ndër të tjera ka thënë se ne kemi thënë që zyrat ndërlidhëse në Prishtinë dhe Beograd do të mund të shfrytëzoheshin si kanale logjistike të komunikimit mirëpo komunikimi normal duhet të jetë qeveri me qeveri.

“Në vend se të drejtohen qeveri me qeveri ata kanë synuar që kjo të jetë zyrtari ndërlidhës me zyrtarin ndërlidhës”, tha Kryeministri Kurti.

“Nuk e kemi një marrëveshje, është për të ardhur keq që nuk e arritëm marrëveshjen”, shtoi ai./Shqip.com