Lajme

Kurti për vrasjen e gruas shtatzënë: Dy engjëj në qiellin e pistë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar lidhur me vrasjen e gruas shtatzënë në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti e ka quajtur vrasje mizore.

“Dy engjëj në qiellin e pistë. Vrasje mizore. U vra edhe një grua. Edhe kjo nga burri i saj. Në oborr të spitalit. Atje ku duhet të shërohen njerëzit. Në oborr të Klinikës Gjinekologjike. Atje ku lindin gratë. U shua një jetë që po sillte edhe një jetë tjetër. Gruaja ishte shtatzënë. Rreth 35 vjeç, as në gjysmë të jetës së saj. E fëmija që ajo donte ta lindte as nuk e filloi jetën. Vrasës mizor”, shkroi Kurti.

Tutje, Kurti tha se një burrë qëlloi mbi gruan që duhej ta mbronte.

“Edhe një burrë që qëllon mbi gruan që duhej ta mbronte. Edhe një burrë që vret një grua. E cila tash është e jona, e të gjithë neve. Bashkë me foshnjën e palindur të saj. Dy qytetarë të Kosovës më pak, dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë. E papranueshme dhe e padurueshme”.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur brenda oborrit të QKUK-së.

Lidhur më këtë ngjarje për Shqip.com nga Policia e Kosovës kanë dhënë detaje lidhur me rastin.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen  e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje”, ka thënë Flora Ahmeti për Shqip.com.

Lexo edhe:

Vritet një person në oborrin e QKUK-së

Po ashtu Ahmeti ka bërë të ditur se aktualisht policia në koordinim me prokurorin e  shtetit ka nisur një hetim  dhe  po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim  sqarimin e plotë të ngjarjes.

/Shqip.com