Lajme

Kurti për tërheqjen e Trustit: Nuk lejojmë të shkatërrohet e ardhmja për një krizë të përkohshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se nuk mund të lejohet tërheqja e Trustit pensional nga qytetarët.

Sipas Kurtit, nuk mundet që për një problem të përkohshëm tani të rrënohet një pjesë e së ardhmes se Kosovës.

Kurti gjatë seancës në Kuvend, tha se mundësia e tërheqjes së Trustit nuk diskutohet as në vendet të cilat nuk janë serioze.

“Nuk mundemi që për një problem të përkohshëm tani të rrënojmë një pjesë të se ardhmes tonë. Nuk  mund të lejojmë që ta humbim të ardhmen dhe të mos e fitojmë të tashme. As në shtetet me nivelin më minimal të seriozitetit nuk diskutojnë për mundësin e rrënimit të sistemit afatgjatë si një përgjigje të sistemit afatshkurtër”, tha Kurti

Sipas Kurtit, iniciuesit e kësaj nisme janë ata të cilët për interesa të tyre po manipulojnë me opinionin publik dhe qytetarët.

“Janë po këta që e kanë sjell këtë propozim në Kuvend dhe janë po këta që po e udhëheqin brutalisht rrjetin medial për të manipuluar opinionin. Ata po manipulojnë me konceptin e varfërisë ku nuk bëjnë pjesë vetë, dhe me qytetarët e vendit për të arritur qëllimet personale që nuk janë të qytetarëve”.

Tutje, Kurti ka thënë se Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka cilësuar si të dëmshme tërheqjen e një pjese të kursimeve pensionale dhe “nuk ka si të është ndryshe”.

Në fund, Kurti tha se Qeveria e Kosovës nuk e mbështetë këtë propozim./Shqip.com