Lajme

Kurti për raportin e SHBA-së për Ujmanin: Qëndrimet tona janë të njëjta

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,

Pak ditë pasi deklaroi se ende nuk e ka lexuar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar raportin e Departamentit Amerikan për Energji lidhur me Liqenin e Ujmanit, që iu dërgua javën e kaluar Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, njofton Shqip.com.

Në konferencën për media pas mbledhjes së mbajtur të kabinetit qeveritar për 100-ditëshin e parë të Qeverisë, Kurti ka folur edhe për këtë raport, për të cilin thotë se qëndrimet e tyre mbesin të njëjta.

“Liqeni i Ujmanit është liqe i Kosovës nga Kosova”.

“Qëndrimet tona sa i përket Liqenit të Ujmanit janë të njëjta, natyrisht që mund të bëhen analiza dhe studime por detyra jonë thotë që duhet ta konsiderojmë Liqenin e Ujmanit, ashtu siç është, liqe articial i Kosovës nga Kosova.  Unë natyrisht që do të marr të gjitha argumentet të cilat mund të jenë edhe shtesë për qëndrimin tonë të njëjtë”, tha ai.

Përtej kësaj pike e cila ishte një ndër çështjet për të cilat është nënshkruar më 4 shtator 2020, Kurti thotë se Marrëveshja e Washingtonit ka pasur vetëm një pikë të vlefshme të saj, e cila është pika e fundit – njohja reciproke midis Kosovës dhe Izraelit.

“Sa i përket Marrëveshjes së Washingtonit, qysh në fillim e kam thënë se pika e saj më e vlefshme është ajo e fundit që tashmë është realizuar, por s’mund të flasim sikur s’ka ndodhë 14 shkurti ose 22 marsi, ka njerëz që jetojnë në të kaluarën por nuk besoj se ata i përkasin të ardhmesë në këtë kuptim ndryshimi në Kosovë është gjigand, ne jemi përfaqësues të këtij ndryshimi të cilin e bëri populli i Kosovës”, tha Kurti. /Shqip.com