Lajme

Kurti për “Open Balkan”: BE-ja e mbështet sa për të mos i dalë kundër idesë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i bindur se Bashkimi Evropian ka dalë në mbështetje të nismës rajonale “Open Balkan” më shumë nga motivi që të mos i dilet kundër idesë, sesa të përkrahet projekti si i tillë.

Sipas tij, BE-ja nuk dëshiron ta kundërshtojë një ide të tillë, ndonëse siç ka thënë, nuk po merr pjesë aktivisht në këtë projekt.

“Pra, nuk duan ta kundërshtojnë idenë, por nuk është se aktivisht po marrin pjesë pastaj në projektin e tillë”, ka deklaruar Kurti për Zërin e Amerikës.

“Dhe të mos harrojmë që tek këto tri shtete që po marrin pjesë në iniciativën e Ballkanit të Hapur, vetëm njëri shtet e ka pajtimin edhe të presidentit edhe të kryeministrit; Serbia”.

Ndërkohë, duke folur për mospajtimet e Kosovës me Shqipërinë për “Ballkanin e Hapur”, Kurti ka thënë se marrëdhëniet mes Prishtinës e Tiranës janë më të mirat në Kosovën e pasluftës.

“Besoj që mospajtimi ynë rreth iniciativës për Ballkanin e Hapur, që në fakt e ka origjinën në Novi Sad, është dëmtim i raporteve tona që vlen për t’u përmendur”.

“Marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Tiranës janë ndër ë të mirat në Kosovën e pasluftës…”, ka potencuar ai.

Ndryshe, Komisioneri Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, ka dalë pro iniciativës së “Ballkanit të Hapur”.

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Oliver Varhelyi

Përmes një lidhje direkte me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, të cilët ditë më parë ishin mbledhur në Tiranë, ai i ka ftuar shtetet tjera të Ballkanit që t’i bashkohen iniciativës.

“Kam qenë gjithmonë i prirur shumë pozitivisht ndaj këtij propozimi. Së pari u quajt mini-schengen. Më pas u përpoqëm brenda procesit të Berlinit dhe u krijua me Tregun e përbashkët rajonal, por për fat të keq me disa zgjedhje në rajon u la mënjanë. E konsideroj këtë iniciativë një pasardhëse apo një zëvendëse derisa të jenë të gjithë vërdallë tryezës.

Është ky përfundim që e kam nxjerrë unë. Vazhdoni ta nxitni këtë nismë sepse rajoni kërkon të jetë një i tërë, për ekonomi, shoqëri. Rajoni kërkon të jetë bashkë siç jemi ne në Bashkimin Evropian. Admiroj faktin se sa fort e ndjeni këtë nismë”, ishte shprehur Varhelyi./SHQIP.com