BE-ja mbështetë “Ballkanin e Hapur”
Komisioneri Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, tha se është pro iniciativës së “Ballkanit të Hapur”, përcjell Shqip.com.
Përmes një lidhje direkte me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev që janë mbledhur në Tiranë, ai i ka ftuar shtetet tjera të Ballkanit që t’i bashkohen iniciativës.
“Kam qenë gjithmonë i prirur shumë pozitivisht ndaj këtij propozimi. Së pari u quajt mini-schengen. Më pas u përpoqëm brenda procesit të Berlinit dhe u krijua me Tregun e përbashkët rajonal, por për fat të keq me disa zgjedhje në rajon u la mënjanë. E konsideroj këtë iniciativë një pasardhëse apo një zëvendëse derisa të jenë të gjithë vërdallë tryezës.
Është ky përfundim që e kam nxjerrë unë. Vazhdoni ta nxitni këtë nismë sepse rajoni kërkon të jetë një i tërë, për ekonomi, shoqëri. Rajoni kërkon të jetë bashkë siç jemi ne në Bashkimin Evropian. Admiroj faktin se sa fort e ndjeni këtë nismë”.
Ndërkaq, në këtë mbledhje, Rama ka përsëritur thirrjen që edhe shtetet tjera duhet të jenë pjesë e iniciativës.
Në hyrje të fjalimit të tij, në krah të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, Rama i ka bërë ftesë Kosovës, Mali të Zi e Bosnjë Hercegovinës që të jenë pjesë e Ballkanit të Hapur.
Ai ka ritheksuar se “iniciativa, është në fakt organi që mundëson zhvillimin e Procesit të Berlinit”./SHQIP.com