Lajme

Kurti: Për mbrojtje e siguri, edukim e shëndetësi, këto janë 23 vendimet e marra sot

Kryeministri Albin Kurti, ka treguar për 23 vendimet e marra sot në mbledhjen e 86-të të Qeverisë së Kosovës.

Sipas Kurtit, forcimi i edukimit në fëmijërinë e hershme është katalizator për zhvillim shoqëror e ekonomik.

Lidhur më këtë sot Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme

“Me qëllim të mbrojtjes dhe kujdesit ndaj fëmijëve, miratuam projekt-udhëzimin administrativ për mbrojtjen e fëmijës kundër faqeve të internetit me përmbajtje pornografike dhe të atyre që dëmtojnë shëndetin dhe jetën e fëmijës”, është shprehur Kurti.

Po ashtu Kurti është shprehur se sot Qeveria ka miratuar Strategjinë e Sigurisë 2022-2027, për mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial, ruajtje të rendit kushtetues dhe sigurisë publike.

Qeveria po ashtu ka vendosur sanksione të reja ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.

“Për zbatimin më efikas të sanksioneve të vendosura nga Qeveria jonë ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë, në raport me situatën në Ukrainë, plotësuam vendimet ekzistuese”, është shprehur Kurti.

Dy vendimet tjera të Qeverisë kishin të bëjnë me Drejtësi e Shëndetësinë.

“Me qëllim të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, miratuam koncept-dokumentin për Regjistrin e Pronarëve Përfitues. Emëruam përbërjen e re të bordit drejtues të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, me qëllim të përmirësimit të gjendjes së shëndetësisë në vend”, ka shkruar Kurti.

Po ashtu është bërë e ditur se bizneset do të obligohen për shërbim të klientëve me ujë nga rubineti, si dhe për monitorim të cilësisë së ujit të destinuar për konsum.

Nuk është lënë anash as sektori i Sportit.

“Që sporti të zhvillohet në një ambient të sigurt, me shanse të barabarta e konkurrencë të drejt, miratuam Projektligjin për Antidoping”, ka shkruar Kurti.

Për nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrje në programet “Fiscalis” dhe “Customs” 2021-2027, kërkuam autorizimin nga Presidentja e Republikës së Kosovës.Miratuam nismat me Letoninë, Irlandën, Egjiptin, Lituaninë, Jordaninë dhe Pakistanin, për ripranimin e personave që qëndrojnë pa autorizim, ka shtuar më tutje Kurti./Shqip.com