Lajme

Kurti për koalicionet në Prizren: Janë joparimore, po ndodhin për shkak të frikës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se koaliconet e Partisë Demokratike të Kosovës në Prizren për të mbështetur kandidatin Shaqir Totaj, janë jo parimore, përcjell Shqip.com.

Kurti i cili qëndroi të mërkurën në Prizren, tha këto koalicione po ndodhin për shkak të frikës nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kryetari, Mytaher Haskuka.

“Koalicionet joparimore që po ndodhin janë koalicione të frikës nga VV-ja dhe kryetari Haskuka dhe kjo më së miri do të shihet më 14 nëntor. Ne po bëjmë gjithçka që balotazhi të shkoi në mënyrë të qetë, demokratike, të ndershme dhe të vazhdojmë me zgjedhje shembullore”, është shprehur Kurti për RTV Besa.

Ndërkaq, PDK në Prizren, paraditen e së mërkurës ka lidhur koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën Socialdemokrate.

Kurse, në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, i pari doli Mytaher Haskuka me 40 për qind të votave dhe i dyti, Shaqir Totaj i PDK-së me 31 për qind të votave.

Raundi i dytë i balotazhit do të mbahet më 14 nëntor, ku në 21 komuna, qytetarët do të votojnë për njërin nga kandidatët që janë në garë./SHQIP.com