Lajme

Kurti për Bloomberg: Nuk mund ta zhbëjmë vendimin për dinarin serb

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk do të hiqet dorë nga vendimi që vetëm euroja të jetë valuta për pagesa në Kosovë, por tha se po respekton kërkesat e faktorit ndërkombëtar për këtë çështje.

Që nga 1 shkurti, në Kosovë ka hyrë në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila përjashton valutat e tjera, përfshirë dinarin serb, për pagesa.

Gjatë një interviste për Bloomberg, Kurti përsëriti se me rregulloren e BQK-së për operacione me para të gatshme nuk ndalohet mbajtja e dinarëve serbë, pasi kjo valutë mund të përdoret për pagesa vetëm pasi të konvertohet në euro në një nga bankat e licencuara në Kosovë.

“Nuk mund ta zhbëjmë këtë vendim. Pra, ata kërkuan për më shumë kohë dhe ne po u japim më shumë kohë. Tani, edhe partnerët tanë amerikanë dhe evropianë po thonë se rregullorja është ligjore sepse po lufton financimin e terrorizmit, aktivitetet e paligjshme, por ne nuk duhet të ngutemi shumë në zbatimin e plotë. Dhe kështu do të veprojmë gjatë shkurtit”, tha Kurti.

Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Rregullorja është kritikuar nga faktori ndërkombëtar, që ka argumentuar se vendimi është marrë pa konsultime paraprake. Ndërkombëtarët i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e rregullores, duke thënë se duhet më shumë kohë për adaptimin e komunitetit serb me vendimin.

Qeveria e Kosovës ka thënë se përgjatë shkurtit do të ketë fushata për informimin e serbëve për këtë vendim dhe në këtë kuadër, Kurti më 11 shkurt iu adresua qytetarëve serbë, në gjuhën serbe, duke thënë se vendimi nuk e ndalon Serbinë që të vazhdojë të ndihmojë serbët në Kosovë.

Gjatë intervistës në Bloomberg, Kurti u pyet se cili është qëllimi i tij final për serbët në veri të Kosovës, ku ata përbëjnë shumicën e popullsisë.

Kurti tha se ai dëshiron që ata të integrohen në shoqëri, duke theksuar se shumica e tyre veçse e kanë bërë këtë, përmes pajisjes me letërnjoftime dhe pasaporta të Kosovës.

“Problemi nuk janë serbët e Kosovës, problemi është regjimi autokratik në Beograd, që është bashkëpunëtor rus. Është regjim që varet nga Kremlini. Ata janë duke e bërë këtë alarmimin para-apokaliptik, duke nxitur tensione etnike sepse ata duan të shkaktojnë probleme në rajon”, tha Kurti.

Gjatë një seance të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 8 shkurt, ku u diskutua për situatën në Kosovë pas vendimit për ndalimin e dinarit, Serbia dhe Rusia thanë se me këto veprime Kosova po kryen “spastrim etnik” ndaj serbëve në Kosovë.

Kurti iu përgjigj këtyre akuzave, duke i cilësuar si gënjeshtër.

/Shqip.com