Kurti paralajmëron marrëveshje me Serbinë në pranverën e 2023
“Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që të kujton atë mes dy Gjermanive pas Luftës së Dytë Botërore, duhet të mundësojë integrimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara”.
Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për mediumin malazez Gradska RTV, në emisionin “Aritmia”.
Negociatat me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç thekson ai, bazohen në ofertën e Bashkimit Evropian, e cila u mbështet nga Berlini dhe Parisi.
“Që nga 9 shtatori i këtij viti, ne kemi një model në të cilin do të mbështetemi gjatë negociatave tona të ardhshme, të cilat duhet të fillojnë menjëherë. Në fakt thuhet se brenda pak ditësh, deri në pranverën e ardhshme, duhet të kemi një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.
Në ndërkohë u pajtuam që Kosova të mos vazhdojë me gjoba për veturat me targa të paligjshme KM dhe të tjera nga koha e sundimit të Millosheviqit. Serbia nuk do të lëshojë më targa të tilla dhe ne po i japim mundësinë, një hapësirë disamujore, si masë për besimin reciprok, për të arritur këtë marrëveshje, e cila është shumë e rëndësishme, jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por edhe për gjithë rajonin tonë”, theksoi kryeministri Kurti.
Problem, sipas Kurtit, është të besohet se Vuçiq do ta respektojë marrëveshjen.
“Nga 33 marrëveshjet e arritura nga Kosova dhe Serbia në Bruksel, Serbia nuk ka zbatuar dy të tretat e atyre marrëveshjeve. Ne kemi përvojë të hidhur me Serbinë në kuptimin që nënshkrimi dhe zbatimi i marrëveshjeve janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme.
Do të punoj që nënshkrimi i marrëveshjes dhe zbatimi i saj të vijnë në të njëjtin kontekst”, thekson Kurti.
/Shqip.com