Lajme

Kurti organizoi pritje për artistët pjesëmarrës në “Manifesta 14 Prishtina”

Manifesta 14 mbrëmë bëri hapjen solemne të organizimit më të madh të artit dhe kulturës në Evropë.

Lidhur më këtë rast, kryeministri Kurti ka pritur në një takim artistët pjesëmarrës në “Manifesta 14 Prishtina”.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga zyra e kryeministrit.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka organizuar pritje për artistët pjesëmarrës të bienales nomade “Manifesta 14 Prishtina”, që ka filluar dje në Prishtinë. Kryeministri i falënderoi artistët për pjesëmarrjen dhe kontributin në Manifesta, e cila për 100 ditë do të jetë aktive, përditë, në 25 vende të ekspozimit të veprave artistike të 103 artistëve nga 30 shtete”, thuhet në njoftim.

Po ashtu është bërë e ditur se sipas Kurti, ky bashkëpunim i artistëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë dhe atyre vendorë që janë në mërgatë dhe atyre vendorë që janë në vend, natyrisht që e rritë shkëmbimin edhe përvojën e të gjithëve.

Foto nga ngjarja e organizuar

“Kanë mbetur edhe 99 ditë, pra po i numërojmë teposhtë, në njërën anë gëzohemi që po kemi kaq shumë ditë përpara, por në tjetrën anë hidhërohemi me çdo ditë që na shkon sepse çdo ditë është e papërsëritshme për përvojat dhe për ndjesitë që ne i fitojmë nga Manifesta” është shprehur Kurti.

Më vjen keq që është kaq nxehtë, është kaq vapë, por nuk e ka fajin vetëm moti, e kemi fajin edhe ne vetë, të cilët jemi bërë kaq shumë bashkë në një vend i cili duket se ka qenë i vogël për këtë rast, ka shtuar më tutje Kurti./Shqip.com