Lajme

Kurti: Opozitarët janë më shumë të pakënaqur sesa mospajtues

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë ditës së sotme ka zhvilluar takim me liderët e opozitës.

Pas takimit , Kurti është shprehur se takimi ka qenë shumë i mirë por që krerët opozitarë janë më shumë të pakënaqur se sa mospajtues

“Ishte takim shumë i mirë, pasi ishte takim njoftues për situatën politike dhe të sigurisë me bashkëbisedim të hapur dhe serioz, tash përshtypja ime është që krerët opozitarë janë më shumë të pakënaqur se sa mospajtues”, ka deklaruar Kurti.

Gjatë zhvillimit të takimit, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, është larguar nga takimi duke u shprehur se Kurti ka mbajtur ligjërata dhe se Kurti i ka prishur raportet me SHBA-në.

“Së pari nuk bëhet fjalë për kurrfarë prishje të raporteve, koordinimi-komunikimi. Kontaktet me QUINT BE SHBA NATO KFOR, janë të vazhdueshme dhe ndodhin nga disa herë në ditë, atëherë nuk është e vërtetë që ka kurrfarë cenimi të raporteve. Ndërkaq për atë se kush si sillet nuk mendoj që duhet ti lë pa punë analistët nëpër debatet e mbrëmjes”, ka vijuar Kurti.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se në takimin e sotëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin kanë biseduar për situatën aktuale në vend në përgjithësi.

Në një konferencë për media, Krasniqi tha se përveç kësaj u bisedua edhe për dialogun e po ashtu për propozimin franko-gjerman.

“Ne kemi diskutuar jo vetëm për këtë situatë aktuale, kemi biseduar edhe për procesin  dialogut. Normalisht ka pasur diskutime edhe sa i përketë planit franko-gjerman por e kam thënë edhe shumë herë tjera në vend që të fokusohemi në një marrëveshje finale që do të sjellte Kosovën në OKB në po merremi me tema shumë teknike”, tha Krasniqi.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas takimit në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe liderëve të opozitës është shprehur se kemi shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me aleatët tanë.

“Nuk kupton diçka të re, nuk pamë planë konkret lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit, besojmë se koordinimi me Amerikën dhe BE-në është zgjidhja e vetme, Kosova duhet të bashkëpunojë ngushtë që të sigurojë paqe dhe stabilitet” ka thënë Abdixhiku.

Ai kërkuar koordinonim të plotë me Amerikën dhe vendosje të ligjshmërisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

/Shqip.com