Lajme

Kurti: Nuk kërkojmë konflikt, por Kosova do ta mbrojë veten

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova nuk është duke kërkuar konflikt por dialog dhe paqe.

Përmes një postimi në Twitter, Kurti ka thënë se Kosova do ta mbrojë vetën me forcë dhe vendosmëri përkundër faktit se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka bërë thirrje që ushtria serbe të kthehet në Kosovë.

“Presidenti dhe kryeministri i Serbisë kanë kërcënuar gjithashtu agresionin ushtarak, duke bërë thirrje që ushtria serbe të kthehet në territorin tonë. Ne nuk kërkojmë konflikt, por dialog dhe paqe. Por më lejoni të jem i qartë: Republika e Kosovës do të mbrojë veten, me forcë dhe vendosmëri”, shkroi Kurti.

Kurti tha se në bashkëpunim me KFOR-in janë duke punuar për ta trajtuar situatën në veri.

“Me zgjidhjen e çështjes së targave dhe shtyrjen e zgjedhjeve, bandave kriminale në veri të Kosovës u mungon edhe preteksti më i hollë për barrikadat dhe sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës. Në bashkëpunim me KFOR-in, ne jemi duke punuar për të trajtuar situatën shpejt dhe paqësisht”.

Kujtojmë se Vuqiq ka thënë se do të bëjë kërkesë tek KFOR-i për të sjellë forca ushtarake në veri të Kosovës.

Gjatë ditës së djeshme, serbët  në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada me qëllim të pengimit të dërgimit të ish-policit, Dejan Pantiç drejt organeve të drejtësisë.

Siç kanë konfirmuar nga Policia, bllokimi i rrugëve ka ndodhur në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok duke pamundësuar kështu lëvizjen e lirë dhe mallrat.

Po ashtu në Rudarë të Komunës së Zveçanit ata kanë vendosur dy kamionë me gurë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Pantiqi dyshohet se ka organizuar sulm terrorist në zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.

Krahas kësaj, me datën 8 dhjetor është plagosur një pjesëtar i Policisë së Kosovës në veri si dhe janë shënjëstruar policia në rrugën që shpie për në Bërnjak- Ata iu kanë kundërpërgjigjur sulmit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në veri, ku janë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës, duke thënë se agresionit do t’i përgjigjen me gjithë fuqinë që e ka Kosova si shtet.

Ai ka shkruar se shteti ynë është shtet evropian, që e dëshiron paqen dhe progresin.

Sipas tij, çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe ShBA-ve i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës.

Tutje, i pari i ekzekutivit ka bërë të ditur se ministri Sveçla është në kontakt të vazhdueshëm më Komandantin e KFOR-it dhe se barrikadat duhet të hiqen menjëherë.

Vlen të theksohet se zgjedhjet e paralajmëruar për 18 dhjetor në veri të Kosovës, janë shtyrë deri me 23 prill të vitit 2023.

Kurti ka theksuar gjithashtu se “tash që as targat e automjeteve dhe as datën e zgjedhjeve nuk mund t’i përdorin si pretekst, strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale u zbuluan në etjen e tyre për zjarr e gjak”.

/Shqip.com