Lajme

Kurti nuk ia ktheu mesazhin, Pacolli i drejtohet publikisht: Presidenti i një shteti po vjen që ta njohë Kosovën

Albin Kurti dhe Behgjet Pacolli

Kryetari i partisë Aleanca Kosova e Re, Behgjet Pacolli, përmes një postimi e ka njoftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti se një shtet të cilit nuk ia ka përmendur emrin, e ka njohur Pavarësinë e Kosovës.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, duke mos përmendur emra ka thënë se presidenti i shtetit ka shprehur gatishmërinë për ta vizituar Kosovën, në mënyrë që të fromalizohet njohja, përcjell Shqip.com.

“Në WatsApp, më datën 18/12 ju kam dërguar letrën dhe mesazhin e Presidentit të shtetit që konfirmon  se janë të gatshëm (javën e ardhshme) të vizitojnë Kosovën, pēr të kryer formalitetin e njohjës dhe të diskutojnë  për vizitën e juaj eventuale në këtë shtet”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli

Vendimin për ta bërë këtë çështje publike, Pacolli thotë se e ka marrë pasi që, kryeministri Kurti, nuk i përgjigjet në letrat dhe mesazhet që ia dërgon.

“Takimi ynë i fundit me ju ishte një natë para zgjedhjeve presidenciale, kur ju kishit nevojë për votën time. Duke e ditur se ju nuk përgjigjeni ne letrat e  mia,(ashtu siç nuk iu përgjigjët as atyre letrave që kërkoja lirimin e instrumenteve mjekësore,sipas rregullave, për spitalin e pediatrisë që i kishit bllokuar në terminalet doganore)”, shkruan Pacolli.

Në fund, ish-presidenti Pacolli ka thënë se “gjithçka është e rregulluar, zotëri Kryeministër, unë kam punuar gjatë për këtë njohje dhe pritet vetëm miratimi juaj”./Shqip.com